Ka nisur shitja e biletave për ndeshjen e madhe të radhës të boksit profesionist. Entoni Xhoshua nga Britania e Madhe dhe Vladimir Kliçko nga Ukraina do të përballen në stadiumin “Uembli” të Londrës në 29 prill, dhe “hyrëset” do të mund të blihen që nga dita e sotme. Data 16 është ajo kur nis shitja e pjesës së parë të biletave, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë një datë tjetër për të qenë të mundura për publikun, 20 dhjetorin.
Më e lira do të kushtojë 40 paund stërlina (rreth 48 euro), ndërsa më e shtrenjta shkon në 2 000 paund (afërsisht 2400 euro). Ka edhe një sasi biletash të cilat bëjnë pjesë në “paketën e artë”, dhe që mund të sigurohen duke telefonuar në numrin 0800 743 1440. Do të ketë edhe një sasi biletash që do të mund të shiten në 16 janar.
Ndeshja pritet me interesim të madh, sidomos sepse përballet një boksier më i ri i peshave të rënda si Xhoshua dhe një veteran 40-vjeçar si Kliçko. Anglezi është shprehur se “ky duel do të më bëjë nga një kampion në një legjendë brenda një nate”. “Është një ndeshje që të ndryshon plotësisht, – vazhdoi ai, – thjesht dua të fitojë, s’ka rëndësi me nokat apo jo. Vladimiri është një shembull për mua, një sportist dhe një njeri i madh”.
Sfidanti.al