Analistët po thonë se, të paktën në këtë Kupë Bote, është ekipi më i fortë, edhe më lart se SHBA-ja. Flasim për Serbinë, një fuqi tradicionale të basketbollit, që po paraqitet tepër fuqishëm në finalet që po luhen në Kinë, deri aty sa ka arritur 105 pikë diferencë në dy ndeshje. Një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer shumë trajnerit Aleksandar Gjorgjeviç, dhe e theksoi këtë pas fitores 126-67 ndaj Filipineve.
“Që në fillim në disa prej grupeve dihej se kush do të kualifikohej, – tha ish-lojtari i Partizanit të Beogradit, – grupi ynë është njëri prej tyre, dhe nuk e di nëse kjo është gjë e mirë për Kupën e Botës. Sa mund të na shërbejnë ne, apo filipinasve, ndeshje të tilla?” Gjorgjeviç vlerësoi seriozitetin me të cilin luajti ekipi i tij, dhe theksoi se dueli i ardhshëm, të mërkurën ndaj Italisë, do të jetë diçka tjetër. Trajneri i aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët e tij, duke mos i lodhur shumë. Jokiç, Marjanoviç, Bogdanoviç, Raduljica, Milutinov, Simonoviç, por sidomos Bjelica i kthyer nga dëmtimi, që të gjithë u dalluan.
Sfidanti.al