Australian Open, raste me Covid në 2 fluturime charter; 47 tenistë në izolim

Nis me probleme turneu i parë Grand Slam i vitit në tenis, Australian Open. Kur duhen edhe 3 javë nga starti i këtij evenimenti, 47 tenistë kanë hyrë në izolim në Melbourne për 14 ditë gjatë të cilave nuk do të mund të dalin nga hoteli e nuk do të mund të stërviten. Janë të shumtë emrat e njohur që kanë hyrë në izolim si Nishikori, Tiafoe, Azarenka, Stephens e Fognini.

Arsyeja që të gjithë këta tenistë hynë në izolim është se në 2 nga 9 avionët charter që fluturuan drejt Australisë janë regjistruar raste me Covid

Në një moment të parë u regjistruan 2 raste pozitive në fluturimet charter nga Los Angeles në Melbourne me 24 lojtarë dhe për momentin janë shfaqur emrat e Tennys Sandgren, Victoria Azarenka, Lauren Davis, Kei Nishikori, Pablo Cuevas, Sloane Stephens, Guido Pella, Juan Ignacio Londero, Santi González dhe Artem Sitak.

Më vonë, organizatorët komunuikuan se edhe në fluturimin nga Abu Dhabi në Melbourne kishte një rast pozitiv dhe në atë avion isnhin 23 tenistë. Australian Open do të nisë në 8 shkurt, por në vend janë ndezur polemikat për rrezikun e lartë të përhapjes që mbartin me vete lojtarët dhe stafet e tyre që mbërrijnë në vend.

Sfidanti.al