Antetokumbo në formën e jetës, tri tripëll dabëlla radhazi pas Ndeshjes së Yjeve!

Prej tre vjetësh vlerësohet si numri 1, por nuk është ende i kënaqur. Nuk ka sesi të jetë Janis Antetokumbo, pasi përtej sukseseve personale, nuk po arrin dot triumfin kryesor në basketbollin amerikan, titullin kampion. E treta e vërteta thotë populli, dhe ylli i Miluokit duket i vendosur për t’ia dalë pas dy dështimeve radhazi, me formën e tij që është maksimale. Ai realizoi një tripëll dabëll në fitoren që u arrit në fushën e Uashingtonit, duke fituar duelet me yjet vendas si Rasëll Uestbruk e Bredli Bil.

Greko-afrikani shënoi 31 pikë, kapi 15 topa në tabela e shërbeu 10 asistë duke treguar se loja e tij është bërë shumë më e kompletuar. Gjithçka u plotësua me 1 vjedhje topi dhe 3 bllokime gjuajtjesh të kundërshtaëve. Antetokumbo ka realizuar tre tripëll dabëlla radhazi që pas Ndeshjes së Yjeve në NBA, ku ai u shpall lojtari më i mirë. Gjithsesi, pas ndeshjes, kapiteni i Miluokit nuk deshi të fliste shumë për suksesin, pasi ndihej i lodhur.

“Mezi po pres ditën e pushimit pas disa ditësh lodhjeje, – tha Antetokumbo, – të kënaqem me picën time pikante, me lëng frutash dhe krahët e pulës. Kur të vijë koha, do të kemi sërish planet tona për ndeshjet dhe unë e di se skuadra jonë do të jetë gati. Edhe unë do të përpiqem të jem gati”.

Antetokumbo është shpallur dy herë radhazi si Lojtari më i mirë i NBA-së, por Miluoki ka qenë zhgënjim në plej of. Këtë sezon, ekipi i Amerikës Verilindore e ka marrë veten pas një fillimi të vështirë, duke arritur 9 fitore në 10 ndeshjet e fundit, e duke qenë në vendin e tretë në Konferencën Lindore, shumë pranë Filadelfias e Bruklinit.

Sfidanti.al