Ishte një nga ato sfida që mezi priten dhe e justifikoi, ndonëse jo plotësisht. Një ndeshje tepër e fortë u luajt mes Miluokit dhe Dallasit në NBA, në të cilën rezultati u vendos vetëm në fund në favor të vendasve, 112-109. Ishte edhe një përballje e dy prej yjeve më të mëdhenj të basketbollit amerikan, Janis Antetokumbo e Luka Donçiç.
Ata ishin më të mirët në parkët, me Antetokumbon që mori edhe fitoren, por edhe me mjaft gabime. Lojtari me origjinë afrikane e pasaportë greke shënoi vetëm 1 nga 10 gjuajtjet e lira, ndërsa Donçiç vetëm 3 nga 7. Gjithsesi, kjo nuk i pengoi ata që të udhëhiqnin skuadrat dhe të bëheshin vendimtarë.
Antetokumbo shënoi 31 pikë dhe kapi 9 topa në tabela, ndërsa Donçiç iu afrua një tripëll dabëlli. Ylli nga Sllovenia shënoi 28 pikë për Dallasin, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 13 asistë, por as kjo nuk mjaftoi. Ai nuk u ndihmua sa duhet nga letonezi Porzingis që pati një mbrëmje jo edhe aq të frymëzuar me vetëm 15 pikë.
Me këtë sukses, Miluoki iu afrua kreut të renditjes në Konferencën Lindore me 9 fitore e 4 humbje, i lënë pas vetëm nga Boston Sëlltiks. Dallasi, ndërkaq, është në pozita më të këqija në Konferencën Perëndimore me 6 fitore e 5 humbje, ndërsa skuadra më e mirë është Los Anxhelos Lejkërs e drejtuar nga Lebron Xhejms.
Sfidanti.al