Inzagi nga “gijotina” në piedestal: Fitorja në derbi, kthesa e sezonit!

Si është puna me futbollin? Nga valixhet e hapura dhe biletën gati për ta prerë vetëm për largim, një trajner mund të “çimentojë” pozitat e të bëhet sërish i domosdoshëm. Më i qetë Simone Inzagi pas fitores 3-0 në derbi, ndërsa Lacio u kthye në zonën europiane, pse jo në pretendime për Championsin. Dakord, nuk është sezoni i kaluar kur u synua titulli për një kohë të gjatë, por me gjithë ato probleme që patën lacialët duhet thënë “mirë me kaq”. Inzagi madje mendon se kjo fitore mund të sjellë kthesën këtë sezon.

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme, me më shumë aspekte pozitive sesa negative, – tha trajneri, – Kemi qenë shumë të mirë në Europë, kemi arritur në turin  dytë në Champions pas kaq shumë vjetësh, ndërsa kemi pasur 13-14 lojtarë të infektuar me Kovid, 3-4 të dëmtuar, dhe kemi luajtur 3 ndeshje në javë me vetëm 12 futbollistë. Nuk dua të justifikohem, por ishin shumë. Tani po e marrim veten dhe besoj se kjo është fitorja e kthesës. Donim ta fitonim derbin në këtë mënyrë, djemtë e merituan”.

Fitorja 3-0 ishte barazimi i rekordit lacial në derbi, , ndërsa Imobile arriti në 147 gola në Serinë A. “Simfoni laciale, – titullon “Il Korriere delo Sport”, – ndeshje pa histori në “Olimpiko”, spanjolli është vrasës me një dygolësh. Vulat e Imobiles dhe Luis Albertos në derbi”. “Derbi ndryshe, – shkruan e përditshmja kryeqytetase “Il Mesaxhero”, – efekte me drita dhe muzikë, por gjithçka ndodhi në shkretëtirë”. Gazeta qan faktin se sfida e qytetit ishte pa tifozë.

Sfidanti.al