Antetokumbo drejt titullit në NBA, por jo aq i ri sa Rasëll e Brajant!

Ndoshta nuk do t’ia dalë aq shpejt sa legjenda Bill Rasëll, por shanset janë që ta bëjë. Janis Antetokumbo është 24 vjeç dhe po jep prova se mund të fitojë titullin në NBA me Miluoki Baksin. Të kuptohemi, po luhen vetëm gjysmëfinalet e Konferencave, dhe Miluoki thjesht kryeson 2-1 me ndeshje ndaj Boston Sëlltiksit, por forma e tij është madhështore. Shënoi 32 pikë në fitoren e mbrëmjes së fundit, brenda në Boston 123-116, dhe tani mund të eleminojë pikërisht ekipin ku dikur luante Bill Rasëlli. Ky i fundit u shpall kampion në moshën 23-vjeçare, ndërsa superylli tjetër Kobi Brajant e bëri 22 vjeç, por gjithsesi, Antetokumbo vlerësohet si pasardhësi i denjë i Lebron Xhejmsit.

Në suksesin ndaj Sëlltiksave, greko-afrikani kapi edhe 13 topa në tabela, shërbeu 8 asistë, vodhi 2 topa dhe bllokoi 3 gjuajtje. Ai ishte arsyeja kryesore që Miluoki dominoi lojën pranë tabelave dhe realizoi kundërsulme të shpejta, duke u shkëputur në pjesën e katërt, ndonëse Bostoni ishte në avantazh në pushim të ndeshjes. Ndeshja e katërt do të luhet gjithashtu në Boston, por skuadra e Antetokumbos ka epërsinë e faktorit fushë.

Sfidanti.al