Çdo epokë ka një fillim dhe një fund, dhe nuk do të bënte përjashtim as ajo e Genadi Golovkinit. Boksieri kazak i peshave të mesme, sunduesi absolut prej vitesh në këtë kategori, pësoi humbje me pikë me meksikanin Kanelo Alvarez në “T-Mobile Arena” të Las Vegasit.
Në një sallë me shumicë dërrmuese tifozësh meksikanë, Alvarez luftoi fort në raundet e fundit, dhe mori vlerësimin 115-113 nga dy gjyqtarë, ndërsa një gjyqtar tjetër e mbylli ndeshjen në barazim 114-114. Vetë Golovkin fillimisht protesoi, duke e quajtur humbjen të padrejtë, ndonëse e përqafoi Alvarezin.
“Nuk dua të them se kush fitoi sot, – u shpreh ai më pas, – fitorja, sipas rregullave, i takon Kanelos. Mendoj se luftova më mirë dhe se meritoja fitoren, ndërsa dua një ndeshje të tretë. Do të diskutojmë”! “Nëse njerëzit duan një ndeshje të tretë, ne do ta bëjmë, – u përgjigj Alvarezi, – do ta bëjmë pa asnjë dyshim”. Meksikani ka tani brezat e artë të kampionit në federatat WBC dhe WBA.
Sfidanti.al