Ishte vërtet një maratonë, si ajo e 2 500 vjetëve më parë. Pati vrapim për gati 5 orë në fushën qendrore të kompleksit “Artur Ejsh” të Nju Jorkut, në US Open, dhe Rafael Nadal, njeriu që nuk dorëzohet kurrë, ia doli më në fund të kalonte në gjysmëfinale. Flitet për numrin 1 të botës, për titullmbajtësin në Grand Slemin amerikan, por që mund ta vuajë rraskapitjen ndaj austriakut Dominik Tim (Thiem), kur të përballet me Huan Martin Del Potron.
“Ishte një betejë e ashpër dhe kushtet ishin shumë të vështira, – tha spanjolli më pas, – e nisa ndeshjen keq, dhe gabova në setin e katërt, por nuk u dorëzova. Më vjen keq për Dominikun, që është një djalë i madh dhe një lojtar i madh”. Nadal e humbi 0-6 setin e parë, dhe kjo ishte vetëm hera e katërt që i ndodhi në 282 ndeshje të Grand Slemeve. “Domit”, austriakut 25-vjeçar, mesa duket do t’i duhet të presë ende, për t’i zënë vendin mjeshtrave Nadal, Federer apo Gjokoviç.
Sfidanti.al