Vllaznia, kur qyteti nuk ia mbledh dot bashkisë, nuk ka as futboll!

Belgjika është një nga vendet më të zhvilluara në botë, por gjithashtu një nga vendet me kriza institucionale e politike nga më të fortat e më të shpeshtat në rruzull. Kjo do të thotë se shteti mbetet shpesh pa qeveri qendrore, madje për muaj të tërë, por megjithatë qeverisja vazhdon pa pikën e problemit, institucionet punojnë njësoj dhe qytetarët zgjidhin hallet në zyrat përkatëse, me titullarët përkatës.

Në Shqipëri, ndryshe nga Belgjika, një moment po të bllokohet jeta politike në pushtetin qendror apo vendor, gjithçka asfiksohet. Shembull është klubi i futbollit i Vllaznisë, i cili pritet të ketë probleme me buxhetin apo me strategjinë, tani që në prag janë zgjedhjet vendore. Se çfarë pune ka zgjedhja e kryetarit apo kryetares së bashkisë në Shkdoër me Vllazninë e futbollit, këtë vetëm ne shqiptarët e dimë.

Kjo sepse, taksat normalisht duhet të mblidhen njëlloj, për buxhetin mund të diskutojë këshilli bashkiak që do të jetë në detyrë në atë moment, ndërsa strategjinë duhet ta ndërtojnë specialistët e futbollit në klub. Këtu duhet të themi “prit beg, se ka hendek”. Kjo logjikë do të funksiononte në ndonjë vend ku vlerësohet meritokracia, jo ku edhe lojtarët e ekipit të parë zgjidhen për ndere, dhe drejtuesit teknikë urdhërohen prej këtyre “kunetërve të shokut Xhemal” që të shkojnë dhe t’u mbushin ujë. Përsa kohë që nuk do të mësojmë si ta qeverisim veten, dhe që ta kthejmë bashkinë në institucion në shërbim të qytetarëve, për aq kohë nuk do të kemi as futboll.

Sfidanti.al