Revolucion te Juventus, 5 emra të mëdhenj drejt largimit për Eriksen

Juventusi po përgatitet për një revolucion në radhët e saj. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja ‘Corriere Dello Sport’ bardhezinjtë janë gati të nxjerrin në merkato 5 prej futbollistëve kryesorë të saj për të akumuluar sa më shumë të ardhura brenda muajit qershor.

Bëhet fjalë për Pjanic, Dagllas Kosta, Manxhukic, Aleks Sandron dhe Kuadradon, ndërkohë që mbetet për t’u përcaktuar e ardhmja e Paulo Dibalës. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, e gjithë kjo lëvizje bëhet për të tentuar blerjen e kartonit te Kristian Eriksen.

Por detyra e Juventusit në këtë pikë nuk do të jetë aspak e lehtë për të arritur te mesfushori danez i Totenhemit, që në sfidën me Ajaksin u vëzhgua me shumë vëmendje nga Paratici. Kjo edhe për faktin se Eriksen prej kohësh është vënë edhe në shënjestrën e Realit të Madridit. Ajo që duhet të bëjë Juventusi është që t’i paraqesë Totenhemit një ofertë milionere të vështirë për t’u refuzuar nga Hotspurs, një ofertë që mund të sigurohet edhe nga shitja e emrave me peshë në skuadër, përvec burimeve të tjera.

sfidanti.al