Vierkovud në botën e çudirave, edhe Kamza si “borgjezi fisnik”

Kush e ka lexuar Molierin, nuk mund të mos i mbetet në mendje komedia me titull “Borgjezi fisnik”, në të cilën një njeri që ishte bërë i pasur nga hiçi (borgjezi), vdiste të kishte edhe ndonjë titull aristokracie (fisnik). Presidentët tanë të futbollit kanë qenë me radhë në rolin e “borgjezit fisnik”, zotit Zhurden, duke kërkuar atë që nuk e kishin dhe që nuk e kanë, pra një titull të trashëguar brez pas brezi (në Shqipëri, do të ishte ndonjë bej apo pasha).

Presidenti i Kamzës, Mziu, ia mbërriti edhe ai ditës për të sjellë një “fisnik” për ekipin e tij, italianin Pietro Vierkovud. Shqiptarët, natyrisht, e dinë se kush është Vierkovudi, një ish-futbollist model i Sampdorias dhe Juventusit, dhe po ashtu i kombëtares së Italisë për të cilën luajti plot 45 ndeshje.

Gjithsesi, si trajner Vierkovud nuk përfaqëson ndonjë gjë të madhe. Karriera e tij përmban punët te Katania (2001), Fiorentina Viola (2002), Triestina (2005) dhe tek Honvedi i Budapestit (2014). Janë kaq pak vite dhe me kaq shumë diferencë kohore, saqë ish-mbrojtësi e meriton “pensionin” vetëm me karrierën si futbollist dhe jo me atë si trajner. Kamza, sidoqoftë, dëshiroka t’ia plotësoka letrat për pension duke i bërë nder.

Historitë e “borgjezëve fisnikë” në Shqipëri janë të shumta, që nga Lushnja e kohës së fajdeve me Mario Kempesin, Partizani (Iuliano), Dinamo (mori me bujë dhe dogji Zllatko Daliçin, sot trajner i Kroacisë në Botëror) apo edhe kombëtarja që pati në stol Bepe Dosenën, Hans-Peter Brigelin dhe Ari Hanin, që nuk “qullosën” gjë në vende të tjera.

Te Kosova, presidenti Fadil Vokrri mesa duket nuk vuan nga kjo sindromë. Ish-ylli i Prishtinës, Partizanit të Beogradit dhe Jugosllavisë së dikurshme, ia ka pirë lëngun me kohë “fisnikërisë së futbollit”, aq sa u kënaq me zviceranin Bernar Shaland, që ka punuar me klube të zakonshëm në Zvicër, paksa me Armeninë, ka qenë trajner i ekipeve të moshave të Zvicrës (nuk luajti kurrë me përfaqësuesen), ndërsa aktualisht punon si gjahtar talentesh tek Bazeli.

Sfidanti.al