Vetëvrasja e Dinamos pa qytet!

Dinamo City pa një qytet, busull dhe pa trajner. Blutë morën një goditje të fortë psikologjike pasi në një ndeshje të vetme regjistruan disa humbje. Edhe pse në avantazh 2-0 në pjesën e parë, Teuta i rrëmbeu fitoren duke e lënë thatë në një sfidë direkte për mbijetesën e duke e zbritur njëkohësisht në vendin e fundit të klasifikimit. Skuadër pa karakter dhe eksperiencë që lëshoi pikën në minutën e tetë shtesë ndërsa fitoren në 45 minutat e dyta.

Reflektim i një skuadre pa personalitet dhe mungesë e theksuar përgjegjësie nga një grup i ndërtuar për të synuar zonën europiane por sot i duhet të luftojë me mankthet e zonës së ftohtë sërish si dy sezone më parë kur ende pa e shijuar Superioren u rithye në “shtëpinë” e dekadës së fundit. Ndoshta nuk është një problem trajneri, i cili e mori përgjegjësinë e tij, e as emrash apo investimesh por thjesht problem që në gjenezë, pra në ADN-në e klubit që këtë vit ka modifikuar kodin gjenetik duke ndryshuar emër, stëmë e ndoshta edhe histori e kjo markë e rë duhet domosdoshmërisht të riniset nga nivelet më inferiore.

Nga Pirro Bardhyli