Me Vasillaq Zërin , futbollistin që na ka argëtuar më shumë se kushdo tjetër, kemi gabuar edhe në ditën e lamturmirës. Të shtunën janë bërë homazhet në nderim të “Llaqit”, djaloshit gjenial me topin, atij që në këtë botë vetëm sëmundjen nuk dribloi dot. Cili ishte gabimi i fundit që bëmë në ndarjen me futbollistin më dëfryes që kemi përjetuar? Një gabim që nuk falet, kur në kohën e stadiumeve “moderne”, mjeshtrit të madh të “muzikës me top” nuk iu bënë homazhe në një stadium, por në një një nga hotelet e kryeqytetit. Kjo është blasfemi e paster e futbollit. Në stadiume kemi parë të bëhen tubime fetare, gati edhe dasma, mos flasim për aktivitete politike, deri tek absurdi i uljes me helikopter në raste qameti, dhe nuk pamë , për herë të fundit, Zërin dhe ….Figurën e një heroi të heshtur sportiv , po aq i heshtur sa edhe kur jetonte .Siç duket, do të fliste vetëm me topin. Driblimi i tij , për fatin e të gjithëve, u kuptua më shumë si stil jetese, sesa si shpagim për shokët që patën fatin e keq të luanin rolin e kundershtarit..
Cili është ky Vasillaq Zëri? Paska pyetur nipi gjyshin këto ditë, tamam një pyetje që mund ta bënte i gjithë brezi që nuk pati fatin të shijonte kohën kur burrat e topit mbushnin stadiumet deri në fyt ,madje edhe i rrëzonin nga mbipesha, pa e ditur se do vinte një brez tjeter , që do të bënte të kundërtën. Pra, cili ka qënë Vasillaq Zëri? Sikur të mos kishim talent për të rrënuar edhe arkivat, edhe historinë e futbollit, që vetëm e flasim por nuk e shohim dot, filmi i tij, do të na mrekullonte, do të na bënte edhe për të qeshur. Por, edhe për të qarë, kur mendon se Llaqi i mbajti gjallë stadiumet, kurse ato ( njerëzit prej betoni) ..nuk iu përgjigjën për ta “ngjallur” në ditën e fundit.
G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport