Klubi më i madh në Shqipëri ka sot për trajner, njeriun më të famshëm të futbollit në vend. Ze Maria ka qenë futbollist i Interit dhe i kombëtares së Brazilit, dhe një trajner në mos i madh, të paktën i njohur. Gjithsesi, dyshja apo binomi nuk duken të krijuar për njëri-tjetrin.
Ditën e djeshme pati një tjetër seri të telenovelës që filloi që me ardhjen e brazilianit në selinë e klubit në “Selman Stërmasi”. Sërish një dilemë, “ta mbaj, mos ta mbaj”, një mendim torturues që presidenti Refik Halili do të vazhdojë ta ketë edhe në të ardhmen, derisa trajneri të largohet (do të thotë, ta shkarkojnë).
Përse do ta shkarkojnë? A i mbani mend të gjithë trajnerët e Tiranës, në “Epokën Halili”? Unë për vete nuk arrij t’i kujtoj, as ju nuk besoj se jeni në gjendje ta bëni! Si ka mundësi të ndodhë? Le ta themi troç, presidenti nuk ka një mendim të përcaktuar mirë, të qartë, nuk është i vendosur sesi duhet ta drejtojë klubin e tij.
Tek Skënderbeu, në 5-6 vjet ishin vetëm dy trajnerë, Josa dhe Daja, dhe ky i fundit do të vazhdonte nëse nuk do të vinte përjashtimi nga Championsi dhe rreziku i përjashtimit të gjatë nga Europa. Tek Partizani po e kuptojnë çdo të thotë të kesh një trajner me autoritet, të cilit i jepet autonomia e domosdoshme e punës, të kuqtë e dinë mirë se çfarë hoqën vjet!
Tek Tirana këtë ende nuk po e kuptojnë. Shtoji këtyre edhe problemet e zakonshme që lindin mes trajnerit dhe lojtarëve, që nuk zgjidhen apo zbuten, por amplifikohen nga klubi. Shtoji edhe drekat apo darkat e ndonjë lotari tek “Vila Goldi”, shtoji edhe problemet financiare, dhe i kupton të gjitha.
Ze Maria është i vështirë për t’u shkarkuar për shkak edhe të rrogës së lartë që ka, dhe thuhet se është 140 000 euro në dy vjet. Ky është shkak, por jo kryesori, pasi një klub i mësuar me borxhe, nuk e ka problem se i shtohen edhe ca të tjera.
Sfidanti.al