Mjaftuan vetëm disa orë që në stadiumin “Selman Stërmasi” të pastrohej ajri nga tymueset e derbit dhe futbolli shqiptar u fut menjëherë në rutinën e tij të zakonshme. Tifozët u larguan nga shkallët për t’u kthyer aty pas nëntë javësh, ndërsa ndeshjet që vijojnë si pjesë e këtij kalalogu futbollistik “mbrëslënës” janë si fotokopje të njëra-tjetrës. Kundërshtarë të dorëzuar që në sediljet e autobuzit, mjetit që i transporton për në ambjentet e lojës, si dhe gabime trashanike të arbitrave që bëjnë lëmsh gjithçka. Kështu pas tifozëve të kryeqytetit, të cilët e pushtuan për një gjysëm dite kryeqytetin për qejf, në këtë përudhë protestash, ky tjetri në vazhdim është në fakt shoë i vërtetë, i mbushur me futboll mediokër, por i shoqëruar me shumë fjalë, si pjesë e një propaganda të shthurrur.
Ndërsa edhe në vazhdim do të ndodhë ajo që është më e zakonshmja. Federate Shqiptare e Futbollit nuk do të marrë përsipër asgjë, siç ndodh gjithmonë, ndërkohë që forcat speciale policore nuk do të jenë më pas portave, siç ndodhi tek Tirana – Partizani. Klubet, madje edhe këto të ndara me kategori, sipas preferencave, do të vazhdojnë të dënohen apo gjobiten, ndërsa shkallët e stadiumeve do të jenë gjithmonë e më bosh. Dhe përfundimi, sigurisht që do të jetë po ai i sezoneve të fundit. Një derbi të fundit afër siparit dhe më pas do të vijë mbyllja e një tjetër kampionati fals, por që moderatorët e tij do ta përshkruajnë me një entuziazëm që do t’i lirojë shpirtin. Ndërkohë që edhe stina e verës nuk ka pse të ndryshojë shumë. Klubet do të impenjohen në merkato, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërsa në Federatë do të bëjnë merkaton e tyre të zakonshme, për të blerë tellallë, të aftë për të zbukuruar me fjalë një futboll që po shuhet.