Ka ndeshje miqësore që shkaktojnë më shumë frikë sesa vetë ndeshjet zyrtare, dhe kjo me Norvegjinë ishte një udhëtim krize në të kaluarën, si në dekada më parë, kur tifozët harbonin si të dehur mbi shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, sapo Kombëtarja arrinte të kalonte mesin e fushës…Dhe kjo vetëm në pjesën e dytë! Duket si tradhëti e klasit të lartë, tipike dhe krejt shqiptare për nga pabesia, kur kujton se si u mashtrua opinioni me premtimin e madh të Panuiçit se “shqiponja” do t’i sulmonin aq ashpër “vikingët”, sa do të shkulej nga zemra, dhe do të varrosej njëherë e mirë kujtimi, që lidhej me emrin e De Biazit.
Brënda kufinjve sportivë, drama trishtuese që ndodhi, mund të krahasohet me një humbje tragjike për nga morali i lojës, më pak për vlerat teknike, por, sidoqoftë, s’do të binim në grackën e përgatitur me ligësi, nëse do të “pushkatonim” vetëm Panuçin. Pse për fitoret, na çojnë këmbët, madje më shumë zemra, deri tek zyra ku mëkati ngjitet në altar, tek presidenti Duka, kurse në raste dështimesh spektakolare, të gjithë qëllojmë kundër trajnerit?! Si me Izraelin në Tiranë, të gjithë sulmuam De Biazin, pa arritur të deshifrojmë kurthin e sajuar në prapaskenë…
Sepse na duket, sikur kjo ndeshja me Norvegjinë ka shpirt t ë zi binjak me atë zyrtaren me Izraelin në Tiranë ,ku mbrojtja dukej sikur sulmonte edhe portën e vet, kurse mesfushorëve bridhnin në fushë për të gjetur çelsin e humbur.. Kur je tradhëtuar shpesh, duket sikur mjafton edhe një gjest i vetëm për të zbuluar “kodin” e humbjes së pamatë. E mbani mend sa shumë helm dhe dyshime shkaktoi De Biazi kur largoi nga fusha Hysajn duke vulosur kapitullimin, kurse këtë herë , me Norvegjinë, atë që nuk bëri Panuçi, edhe pse Hysaj dukej si sozia e Hysaj , e bëri vetë futbollisti..duke dalë nga fusha për të shpëtuar më shumë imazh se sa shëndet.
Sado debutues dhe aventuresk të jetë shfaqur trajneri Panuçi, sado të budallallepset nga ideja për të qënë më i bukur nga paraardhësi, në ushtrinë naïve dhe të tretur të futbollit kuqezi , cili do të besonte se trajneri “vrau” me doren e vet mesfushën, duke vendosur me “bolet” e tij pa u këshilluar me ata që zakonisht i tredhin humbjet, aq sa të duken si fitore…
Sfidanti.al