E besoni apo nuk besoni e ka thënë Skënderbeu, ekipi që kur shpallej kampion nuk kishte gojë, ndërsa kur shpallet fajtor.. goja i ngjan një shpelle të frikshme. Ishin dënuar nga Europa dhe nuk kishin arritur të shanin UEFA-n si “lavire në fronin e futbollit”, ngaqë shefat i kishin qepur gojën sepse dënimi nuk kishte mbaruar. Sapo u dënuan nga FSHF-ja, nga Komisioni i Etikës që u ngjall me porosi , askush nuk ia zuri gojën , ndaj dolën fjalët që do të mbeten të pavdekshme në arkivin e hipokrizisë: ” Na dënoi Federata e krimit”. E shkreta Federatë ku dëgjon këto fjalë kampione në mosmirënjohje, Dhe hajde të mos ndihet si ajo nëna e tradhëtuar nga djali që rriti me duart e veta. Por futbolli ynë është i prapë, nuk ka nënë, ka një motër që shahet në të gjitha stadiumet dhe një “baba” me vese, që lufton me zell kundër lojës se ndershme, dhe pastaj kërkon të adhurohet si një president-perëndi. Një njeri fuqipoltë që edhe kur të heq titullin kampion, të jep asist për të përdhosur Intitucionin me epitetin “Federatë e krimit”. Një epitet që duket si një ëndërr e realizuar për punonjësit e FSHF-së, sepse vite më parë, kur kryeministri Berisha e quante ” Duka i krimit”, dilnin vullnetarë nga zyrat dhe vetsakrifikoheshin duke thënë ” Më mirë na përlyni ne, sesa shefin tonë..”
Një shef që për fatin e Skënderbeut nuk hyri dot në elitën e UEFA-s, sepse dënimi do të ishte flakërues për klubin po e po, por për gjithë futbollin. Dhe kjo jo për të vënë në vend nderin e humbur, sepse ai tren ka ikur dhe nuk e kapim dot, por që shefi të varroste futbollin e vendi të tij për të lulëzuar karrierën me një maskë perëndimore. Një maskë që nuk cënohet aspak në vendin e tij, sepse të gjithë duan të marrin pjesë në funeralin e Skënderbeut, duke harruar mu në mes të ditës se ndëshkuesi i tyre është vetë frymezuesi i tyre, ai, që u thoshte pa iu dridhur qerpiku “Hani, pini dhe këndoni, sa të jetë Lala Gjoni”. Ai që betohej në ekrane se lufta kundër trukimeve ishte një betejë e fituar në këtë sezon, ku Skënderbeu s’ dredhonte dot ngaqë ndiqej me lupë nga toka dhe me dron nga qielli, këtë radhë e dënoi me minus 12 pikë se luajti futboll pa pazare, nga ajo lojë në peshoren e shefit konsiderohet pa bereqet..
Gezim Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport