Këtu ka tradhëti burra! Shprehja e famshme në film, i shkon përshtat edhe filmit të Superligës, sidomos skenarit te kesaj jave. Dënimi me 18 muaj i shefit vlonjat të futbollit, Sinan Idrizi , për ngjarjet me “filmime gojore” në Vlorë, kanë zbuluar se zyrtarët tanë lodrojnë me topin e dhunës si t’u dojë qejfi. Ka miq të Intitucionit që mund të dhunojnë dhe bekohen me shprehjen “dorë të mbarë”, ka të tjerë, që dënohen për dhunë, ndofta edhe imagjinare, të shpikur enkas nga zyrat, mbi të cilët vala e zemërimit dhe inatit bie më shumë për gojën pa frena ndaj pushtetit që ka marrë peng futbollin. Disa bëjnë rolin e naivit dhe pyesin me habi: si ka mundësi ky dënim për zotin Idrizi, kur në Asamblenë e shkurtit, përqafimi i triumfit në fund bashkoi kokat e ndara “për jetë”, atë të Dukës me Idrizin.
Një përqafim i rënë nga qielli, pikërisht në një sallë të stërvitur me hipokrizi, që ka djegur “skedinat” e të gjithëve. U përjetua si një gjest mrekullues, prekës, tepër domethënës, sidomos për ata që predikojnë se në sallën e Adriatikut, ku mund të vdesë vota, lindin dashuritë mbi urrejtjet e mëdha. Tani, që zotit Idrizi i kanë privuar stadiumin për 18 muaj, për një faj që e kanë parë vetëm “sytë e bukur” të ushtrisë së verbër, për dreq, na u kujtua një frazë xhevaire. “ Disa më kanë sulmuar apo ironizuar sepse i dhashë dorën ( mos harrojmë dhe kokën) Dukës në fund të Asamblesë, por unë jam nga ata që e nderoj fituesin”. Dhe çfarë fituesi unikal, i fortë sa të driblojë edhe ligjin me topin të mbushur me letra falso, e jo mos të driblojnë Sinanin, kur 2 muaj më parë i thanë: hesht në Asamble, që të fitosh ti dhe Vlora tënde”
Sfidanti.al