A e keni vënë re se sa herë që Igli Tare shkel në tokën shqiptare për pushime a për punë ai nuk shihet vetëm si një shembull suksesi në tokën italiane por edhe si një kërcënim i mundshëm për të hyrë në kështjellën e pamposhtur gati çerekshekullore të FSHF-së që po drejtohet nga i njëjti njeri në një afat kohor të ngjashëm me betejën epike të Heroit tonë kundër hordhive osmane.
Po shkojmë drejt vitit të 25-të të lumtur e të gëzuar, me një biletë në xhep për finalen e Champions League dhe me mendjen drejt një mandati të gjashtë edhe pse këtë askush nuk e ka vënë në diskutim, e madje as Igli Tare, emri i të cilit lakohet shpesh në ambjentet brenda dhe jashtë FSHF-së por asnjëherë nuk e ka shfaqur personalisht ambicjen për të ndjekur gjurmët e kolegëve Savicevic apo Boban në Ballkan sa për të marrë disa shembuj.
Në fakt, Tare është shembulli që rrëzon çdo rregull fizike sepse po të kishte të tillë në vendin tonë, atëherë ai do ta kishte rrëzuar prej kohësh nga froni njeriun që nga futbolli nuk ka ditur shumë por futbolli i ka mësuar shumë, madje edhe rrugën për t’u bërë i përjetshëm në një kolltuk që tashmë i rri si kostum. Në krahun tjetër, Tare që vetë Duka e uroi me përzemërsi, është saktësisht e kundërta e skemës që kemi ngritur tashmë prej vitit 2002 në Tiranë.
I suksesshëm, i aftë për ta lexuar futbollin modern e për ta perfeksionuar atë, i suksesshëm si rrallëkush në profesionin e tij por për fat të keq “dështak” në një skenar shqiptar ku do të rrezikonte të dilte pa asnjë votë nga një garë me drejtuesin aktual të FSHF-së vetëm sepse futbolli është i ndarë në vilajete që prej dekadash ashtu si FSHF, drejtohet nga njerëz që as e kanë në llogarinë e tyre faktin që ky sport është degraduar tërësisht sot në Shqipëri.
Nga Pirro Bardhyli