Ibrahimovic përfundon në shënjestër të tifozëve të Milanit

Zlatan Ibrahimovic po kalon një moment shumë të vështirë në raport me tifozët e Milanit. Legjenda suedeze, që vazhdon të jetë pjesë e projektit kuqezi, është vënë në qendër të kritikave të ashpra në rrjetet sociale pas postimit të tij më të fundit në platformën “X”.

Ibrahimovic ishte protagonist i një fushate reklamuese të një marke të njohur sportive, së bashku me emra të mëdhenj të futbollit botëror si Kylian Mbappé, Cristiano Ronaldo dhe Vinicius Junior. Megjithatë, postimi i suedezit ka shkaktuar reagime shumë negative nga tifozët kuqezi, të cilët duket se nuk e duan më pjesë të projektit të Milanit. Në seksionin e komenteve nuk munguan ofendimet dhe ironitë ndaj ish-sulmuesit të njohur. Disa tifozë publikuan montazhe ku Ibrahimovic paraqitej si klloun apo derr, ndërsa të tjerë përdorën hashtagun “#IbrahimovicOut” dhe mesazhe si “Fuera”, duke kërkuar largimin e tij nga klubi. Pakënaqësia e tifozëve lidhet me situatën e vështirë që po kalon Milani, ndërsa shumë prej tyre e konsiderojnë Ibrahimovic-in si një nga figurat përgjegjëse për problemet aktuale të klubit. Reagimet e fundit tregojnë se raporti mes suedezit dhe një pjese të tifozërisë kuqezi është përkeqësuar ndjeshëm.