Se mos thoni: “U ngritën këmbët t’i bien kokës”! Kukësi i fundit në klasifikim i jep “leksion” Tiranës kryesuese, duke dëshmuar se fundi dhe kreu mund të ndërrojnë rolet kur të duash, pa u prishur terezia jonë ! Të gjithë ishin veshur me “ të zeza” një javë më parë dhe po qanin hallin se si do t’ia bënim me Kukësin, i cili po shkonte aq poshtë dhe nuk e çonte fare kokën lart. Këtë javë ndodhi “mrekullia”, por na duhej popull për të mbushur me dëshmitarë stadiumin, për të besuar se klasifikimi i Superligës është një lojë brenda lojës, ose si me thënë një “asset” përmbi të tjerët…
Kjo ishte një javë hollivudiane për nga intrigat, punë e madhe se në “kinematë e futbollit” nuk ka shikues që ta kuptoj filmin me skenarin më të tredhur se kurrë. Nga njëra anë ceremonia Gala ku u shpallën “më të mirët”, nga ana tjetër , Superliga ku më të mirët u shpallën më të këqinjtë!
E pastaj thonë me dorë në zemër se për titull janë vetëm Tirana, Partizani dhe Vllaznia, po prisni, prisni, se akoma nuk keni parë qershinë mbi tortë të këtij kampionati. Do të ndodhin aq shumë rrokapuja në klasifikim dhe në fushë, sa populli i futbollit do të pendohet dhe do të kthehet prapë në “shtëpinë e futbollit”, ku po luhet një “Big Brother” ku nuk merret vesh se cili është vëllai i madh e i vogël..
Sfidanti.al