Patën minutazh të ndryshëm, por vlerësim thuajse të njëjtë. Berat Gjimshiti dhe Kristjan Asllani ishin që të dy në fushë në Serinë A, me ekipet e tyre që fituan. Qendërmbrojtësi kuqezi u kthye më në fund në formacionin e Atalantës pas shumë javësh, dhe me gjasë trajneri Gasperini e di se do të vazhdojë ta ketë në ekip. Pas një periudhe të gjatë në stol, Gjimshiti nuk e pati të lehtë, por gjithsesi e kaloi mirë edhe këtë provë. Mediat e vlerësuan me notat 6 dhe 6.5, duke e kritikuar sado pak për vështirësitë në pjesën e parë, por duke theksuar se pas pushimit e mori veten dhe se sulmuesit e Sampdorias e patën të pamundur që ta kalonin mbrojtësin shqiptar.
Aktivizim edhe për Kristjan Asllanin, ndonëse sërish vazhdon t’i nisë ndeshjet nga stoli. Mesfushori i kombëtares shqiptare hyri në fushë në minutën e 67-të, vetëm pak sekonda pasi Lautaro Martinezi shënoi golin e dytë në fushën e Kremonezes, duke i dhënë Interit fitoren 2-1. Në aq minuta sa pati në dispozicion, Asllani bëri përshtypje të mirë dhe mori nota gjithashtu nga 6 deri në 6.5, pak a shumë sa lojtarët e tjerë të dalluar zikaltër. Mediat theksuan sërish se shqiptari meriton më shumë minutazh sesa i ka dhënë trajneri Simone Inzagi.
Sfidanti.al