Superliga “fiton” krenarinë ! Erdhën në lojë arbitrat që bëjnë gola…

Dilemë apo trilemë? E kishte fajin Flamurtari apo Teuta për atë që ndodhi në Vlorë? Apo as vendasit, as miqtë, por treshja e arbitrave me në krye Hamitin, që sipas trajnerit Daja e menderosën nga fillimi në fund. Një ndeshje ku Flamurtari gati u zverdh i gjithi nga kartonët e verdhë, ndërsa vetë futbolli u skuq nga pazotësia e një ekipi arbitrash, që marshonin vetëm në anën e gabuar me vendimet e tyre. Duket sikur sapo jemi futur në skenarin e njohur të garës me kurthe, ku viktima shfaqet një arbitër i paracaktuar me të ardhme, për të cilin thuhej se ishte nga ata që e bënin shijen e lojës.. mjaltë dhe jo baltë . Kaq e ngatërruar kjo ndeshje, edhe për meritë të futbollistëve, të cilet nuk mund të fshihen pas gafave të arbitrave, aq sa të gjitha palët nuk dinë akoma se çfare kurdisën…
Vlonjatët mendojnë se u kanë vjedhur fitoren mu në mes të ditës, kur si me magji te zezë i hoqën golin në fund. Durrsakët bëhen per peshqir kur kujtojnë golin e Alvesh që edhe po të mbyllje sytë e shikoje pozicionin jashtë loje. Nuk besoni, por edhe arbitrat janë qarë pas ndeshjes sikur nuk ishte faji i tyre, ngaqë ishin futbollistët që ndezën të parët fitilin , pastaj e “dogjën” vetë arbitrat. Kishim javë që dëgjonim se ishte qetësuar shpirti i trazuar i kampionatit, se s’do kishte më hatër ndër ekipe, se arbitrat dhe shefat e tyre nuk do t’i frynin më në vesh njëri tjetrit, madje do të jepnin një spektakël besimi që nuk ishte parë vitet e fundit…
Sfidanti.al