Skënder Gega, te Kukësi nuk do presin si Junajtidi me Fergusonin!

Mirë apo keq, i tillë është realiteti, ashtu siç thoshte Baruh Spinoza për ekzistencën e Zotit (është kështu si Natyra, me të mirat e të këqijat e saj, jo siç na e kanë mësuar). E pra, te Kukësi kanë pasur trajnerë nga më të mirët në Shqipëri dhe sërish “nuk u ka ndezur”. Armando Cungu, Sulejman Starova, Hasan Lika, Ernest Gjoka, sërish Cungu apo Shpëtim Duro, dhe përfundimi ka qenë gjithnjë shkarkimi. Edhe në një klub “të themeluar” (si sukses) në vitin 2010, kërkohet çdo vit titulli dhe nëse nuk e arrin, të jesh kush të duash, parimi mbetet i njëjti.

Presidentin Gjici të paktën për një gjë nuk mund ta kritikosh, ai nuk lëkundet dhe është koherent me logjikën e tij, që suksesi duhet të vijë shpejt. Nuk ka gjë që të na provojë nëse do të ishte më mirë e kundërta, por besohet se e kundërta do të ishte më mirë. Skënder Gega, një njeri i respektuar i futbollit shqiptar, duhet ta dijë se ai nuk do të jetë përjashtim. Nëse nuk fiton titullin që sezonin e parë vështirë të ketë rinovim, dhe nëse gjatë rrugës, mbetet prapa Tiranës apo Partizanit, largimi do të jetë më i shpejtë. E sigurt është që Kukësi nuk do ta presë Gegën, ashtu siç Mançester Junajtidi priti Aleks Fergusonin.

Momenti është i lumtur, siç është gjithnjë ai i “fillimeve të reja”. Fotoja me fytyrën e qeshur e të sigurt të Gegës zbukuron faqen zyrtare të klubit në çdo rrjet social, tifozët janë të entuziazmuar, ndonëse nuk harrojnë të kritikojnë presidentin, por nëse nuk do të vijnë fitoret, do të vijnë kritikat nga të gjitha anët, nga tifozët, mediat dhe opinionistët, si dhe nga brenda klubit.

Sfidanti.al