Sa herë që shfaqet në Premier Ligë me Sauthheptonin, Armando Broja, mëndja nuk na shkon tek kundërshtari që ka në fushë, por tek kundërshtari i tij në Kombëtare, vetë.. trajneri Edi Reja. Sa më shumë flasin dhe e duan në Angli, aq më shumë e shpërfill dhe e braktis italiani ynë, sidomos në dy ndeshjet e fundit, ku u ndez dhe fitili i rebelimit. Kulmi arriti në Uembli, kur do të luanim me Anglinë, ku i gjithë stoli kuqezi doli në nxemje , ndërsa “heroi anglez” Broja përfundoi në shkallët e stadiumit. Media angleze tallej dhe hidhte romuze në ato momente: “ Broja qënka këtu me ne në shkallët e stadiumit, kushedi se sa më të mirë do të jenë ata që ka zgjedhur në vend të tij trajneri Edi Reja..”
Dhe thonë se tek ne ka më shumë gojë të këqia se në çdo vend tjetër, por nuk thonë se dy trajnerët italianë, De Biazi dhe Edi Reja, tamam sikur të kishin nishanin e Vilhelm Telit që goditi mollën përmbi kokë, kanë marrë shenjë mbi “kokat” e dy talenteve më të spikatur në Kombëtaren tonë. De Biazi e nisi gjuetinë e shtrigave me Milot Rashicën që e fshiu nga lista e Europianit dhe më pas ia dhuroi Kosovës, kurse Edi Reja ka një “arsye më italiane” për ta injoruar shërbimin e Brojës.
Po cila na qënka kjo ? Paska gabuar Broja, kur nuk ka dëgjuar Rejën që të shkonte në Itali tek Udineze dhe vajti ne Angli ! Dhe kjo frazë nuk del nga gojët e këqia, por nga goja e ëmbël e vetë Brojës. Dhe ku ka vend më ideal se në Kombetaren tonë,ku mund te lahen hesapet e vjetra, ngaqë ata që komandojnë Rejën..merren me punë më të “fisme”!
Sfidanti.al