Një vit më parë, nastradinët e futbollit gëzonin se kishim kampionatin më të bukur në Ballkan po e po, por dhe më tej, ngaqë nuk e dinim , deri 5 minuta para se të mbyllej dera e kinemasë, se cili ekip do të dilte kampion. Këtë herë, skenari nga sipër klasifikimit është përdhosur, dhe meqë s’ka luftë për titullin sepse Tirana doli nga roli dhe ia drodhi regjizorit , kemi shkuar në luftën..poshtë. Dhe Superliga është e zonja ta dredh pa merak , si një garë që nuk e ka fort problem të lodrojë edhe me cipën , ndaj ..kur prishet nga lart, zbukurohet nga poshtë !
Tani çuditë nuk vijnë më nga Tirana e nga Laçi,as nga Partizani e Vllaznia, por nga Kastrioti dhe Egnatia, që po befasojnë në fushë, por dhe jashtë saj, , nga Dinamo që kërcen sipas stilit arkaik, një hap para dhe dy hapa pas. Dhe në fund, Skënderbeu,ekipi që po kupton edhe më mirë rrënjët e emrit të tij, ngaqë po e tradhëtojnë gjithë Hamzallarët e futbollit…
Në këto momente, pyetja që shitet më shtrenjtë në pazarin “e gjallë” të Superligës, nuk lidhet me fatin e titullin, por cilët janë dy ekipet që do ta hanë në fund . Një vit më parë tërbonim dynjanë se 4 ekipe po luftojnë për titull, tani tërbimi vjen nga poshtë: 4 ekipe po luftojnë për “titullin” e mbijetesës dhe loja më e stërholluar po bëhet jashtë fushe, me të gjitha format alla shqiptare, prandaj edhe ka ndryshuar “ligji i detit” sa keto javë që po shikojmë e do te shohim… peshku i vogël po e ha të madhin…
Sfidanti.al