Barça ende po bën prova, por kur del në lojën e saj është e shkëlqyer!

Gabimi që ndodhi ndaj Gallatasarajit nuk u përsërit, ndërsa kjo skuadër duket se ende po bën provat e duhura për të qenë ajo që duhet të jetë. Barcelona fitoi 4-0 ndaj Osasunës, me një spektakël futbolli në “Kamp Nou” duke përforcuar pozitat në La Ligën e Spanjës e duke reaguar pas barazimit 0-0 me turqit në Ligën e Europës. Diçka e ngjashme me fitoren 4-2 në Napoli, gjithashtu në Europë pasi kishin barazuar 1-1 me italianët në Katalonjë. Ferran Torresi ishte i shkëlqyer këtë herë duke shënuar dy gola, në minutat 14 e 21, Obamejang realizoi për 3-0 në 27’, dhe Riki Puig shtoi të katërtin në 75’. Katalanasit patën epërsi dërrmuese me 71 për qind mbajtje të topit, 17 gjuajtje drejt portës (3, Osasuna) dhe 10 në kuadrat (2), si dhe me kornet 5-1. Pas kësaj fitoreje të thellë, Barcelona është në vendin e tretë në La Liga me 51 pikë dhe me një ndeshje më pak sesa Atletiko (po 51) dhe Sevilja që ka 56 pikë. Shanset për të arritur vendin e dytë janë që të gjitha nëse vazhdohet kështu, ndërsa vlen të theksohet se nga një skuadër “anemike” në sulm, kjo e Ksavit po arrin Realin sepse ka 52 gola ndaj 56 të madrilenëve, me 52 që ka edhe Atletiko.

Sfidanti.al