Rroftë Silvinjo! Kombëtarja e brazilianit  “vrau” dhe .. pronarin!

Nuk ka pikë dyshimi : trajneri Silvinjo e ka ndryshuar Kombëtaren,  ka ndryshuar edhe ndjenjat tek adhuruesit e Kombëtares. Në këto momente po jetojmë “magjinë kuqezi” dhe të gjitha rrugët të çojnë tek Silvinjo.

Nga brënda futbollistët thonë se është një “profet i fshehur ” edhe  në komunikim: e shikon në sy futbollistin kur flet me elegancë  dhe krijon besim edhe tek të pakënaqurit e “përjetshëm”, futbollistët e stolit…

Nga jashtë, tifozët, e bekojnë si trajnerin shërues,  i cili  na “preku trurin” dhe në lojë nuk kërkojmë më çelësin e humbur si me Edi Rejën, s’duam as ndihmën e dronit apo “bujarinë” e  Armenisë si në kohën e De Biazit për të shkuar në Europian . Madje pas shumë vitesh despotizmi , kjo është thelbesore,  nuk jemi më ekip presidencial, ku meritat ngjiteshin të gjitha lart tek “pronari”  dhe pastaj zbrisnin poshtë tek..proletariati i fushës..

Sfidanti.al