Rroftë futbolli i zyrave, poshtë futbolli i fushës ! Këto ditë ishte në Tiranë, presidenti i Federadës Holandeze të futbollit, zoti Frank. Ishte shumë i lartë nga trupi, ose janë shumë të vegjël këta tanët, (shikoni në foto me Dukën dhe Ademin e Kosovës) por kur fliste… “shkurtohej”. Ishte tamam “holandez fluturues” sepse më shumë qëndroi në qiell se sa në tokë: “Jam shumë i impresionuar nga arritjet e mëdha të FSHF-së…”
“Shtëpia e futbollit”, siç i quajnë zyrat stërmadhe të FSHF-së, po na shndërrohet në shtëpinë e magjisë ! Edhe kur ishte presidenti i Federatës Italiane, Gravina, mbeti me gojë hapur nga arritjet e mëdha të FSHF-së dhe sidomos të presidentit Duka. Edhe kur u bë mbrëmja Gala për “Topin e Artë”, Ceferini i UEFA-s dhe Infantino i FiFA-s, kur u shfaqën në ekran, dukeshin të mrekulluar me arritjet tona të pazakonta, që me sytë tona nuk dallohen…
Po cilat janë arritjet që ata i shohin dhe ne jemi të verbuar? Presidenti ne ballë të UEFA-s apo stadiumi “Arena” i veçante per nga Kulla. Holandezi Frank nuk pati fatin të shikonte një ndeshje kampionati, ashtu si Gravina i Italisë që nxitonte , por , ama, panë zyrat mbresëlënëse të FSHF-së , i vetmi “stadium” që na mbushet plot e përplot çdo “ndeshje” me 150 zyrtarë…
Sfidanti.al