“Reklama” e Longo-s si “ilaç” zgjimi

Ndonëse një zë i veçuar dhe i izoluar, por i pandikuar dhe larg ambientit toksik, ish-trajneri i Kukësit, italiani Diego Longo, ka dhënë një mendim tronditës rreth cilësisë (nëse për të tillë mund të flasim) së futbollit shqiptar. Madje ai ka shkuar edhe më tej, duke lënë mënjanë komentin teknik dhe duke bërë akuza më të rënda.

Në të përditshmen më të madhe të vendit fqinj, një nga më të rëndësishmet në kontinent, Gazzetta dello Sport, pa “qime në gjuhë”, siç i thonë italianët, ai deklaron: Liga shqiptare është më e korruptuara në botë’.

Shumë e trishtë, në një kohë që këmbanat e alarmit që po bien prej vitesh nuk i bëjnë më përshtypje askujt. E mbani mend rastin e freskët të portierit të Bylisit që braktisi ndeshjen ndaj Vorës? Çudia zgjati vetëm tre ditë, sepse FSHF ka kushtëzuar çdo pamje video me kontrata për “mbyllje goje” në çdo studio.

Rasti i fundit i trajnerit Longo tregon gjithsesi se, matanë kufirit, mediat nuk mund t’i detyrosh të mbyllin derën për njerëz që kanë dyshime. Gazetarët janë zëvendësuar me inteligjencën artificiale të FSHF-së, por e vërteta gjen shtigjet e veta për të dalë në sipërfaqe.

Gazeta italiane dhe Longo, gjithashtu, për fatin tonë të mirë, nuk janë prodhime standarde të komanduar për të bërë rolin e kllounit. Futbolli shqiptar është i korruptuar dhe i sëmurë, dhe për këtë shumë pak kanë dyshime. Por “ilaçin” e të sëmurit terminal e kanë fshehur dhe nuk kanë aspak ndërmend ta japin, sepse ndoshta është më mirë që, në zgjedhjet e shkurtit, ta mbajmë në “vdekje klinike” edhe për një 4-vjeçar (në rastin më të mirë).

Nga Pirro Bardhyli