Pas një sezoni spektakolar deri më tani, Weston McKennie ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me Juventusin. Amerikani e filloi sezonin aktual me kontratën që i skadon në qershor dhe me pak mundësi për një rinovim. Nën drejtimin e Spallettit, ai është bërë absolutisht qendror në projektin e Juventusit dhe ka fituar besimin përmes performancave të tij, duke u bërë një nga lojtarët kyç të skuadrës. McKennie e ka zgjatur kontratën e tij deri në vitin 2030.
Kjo është deklarata e klubit për zgjatjen: “Pas gjashtë vitesh me bardhezinjtë, lidhja midis Ëeston McKennie dhe Juventusit është forcuar me një zgjatje të merituar të kontratës. Marrëveshja e re do lidhë lojtarin e lindur në vitin 1998 dhe klubin bardhezi deri më 30 qershor 2030. Ky rinovim u fitua falë performancave të nivelit të lartë nga mesfushori amerikan, i cili mbërriti në Torino nga Schalke 04 në gusht 2020 dhe është bërë gjithnjë e më shumë një pikë referimi”.
“Ka grumbulluar 26 gola dhe 26 asiste, duke marrë shpesh dhe me dëshirë rolin e golashënuesit në javët e fundit. Një lojtar ndryshe nga çdo tjetër, i gjithanshëm dhe i aftë të zërë fjalë për fjalë çdo pozicion në fushë, siç u demonstrua në muajt e fundit në të cilët, duke filluar si mesfushor, ai ka qenë në gjendje të shprehet në një nivel të lartë si golashënues, finalizues dhe mbrojtës i krahut. Një djalë që ka fituar zemrat e tifozëve dhe që tani po korr frytet e punës së tij të përditshme në stërvitje. Urime, Wes, në emër të të gjithë familjes Juventus!”.
sfidanti.al

