Reja vërteton Myslym Allën, “me miell misri, nuk bëhet bukë gruri”!

Një analizë direkt “në të nxehtë” nuk është asnjëherë e lehtë. Gjithsesi, futbolli duhet t’u bindet rregullave të reja, atyre të televizionit dhe të publikut që i japin miliona, dhe kështu bëri edhe trajneri i Shqipërisë, Edi Reja. Italiani provoi një disfatë të rëndë në Paris ndaj Francës, diçka që e shqetëson edhe një profesionist me 1 000 ndeshje të drejtuara në karrierë.

Ai tregoi gabimet kryesore të ekipit, dhe indirekt vërtetoi shprehjen e ish-trajnerit të famshëm të 17 Nëntorit (Tiranës), Myslym Alla, se “me miell misri, nuk bëhet bukë gruri”.

“Na goditën gabimet e fillimit, pasi nuk e mendoja që do të ishim aq shpejt me dy gola të pësuar, – pranoi Reja, – Pati mjaft gabime nga ana jonë në ato minuta, por nuk duhet të harrojmë se Franca ka lojtarë të një niveli shumë të lartë, shumë të shpejtë. Nëse do të kishim qenë pak më të vëmendshëm, sidomos taktikisht, golat e parë mund t’i kishim evituar”.

Kritika të veçanta pati për dy sulmuesit. “Në pjesën e parë e mbajtëm shumë pak topin, edhe Bala, edhe Uzuni, dhe kjo do të na kishte lejuar që të merrnim pak frymë, – theksoi 72-vjeçari, – Tentuam kundërsulmin, dhe disa herë e realizuam, por kur skuadra është në vështirësi, lojtarët e sulmit bëhen të rëndësishëm. Ata duhej ta mbanin më shumë topin, dhe të lehtësonin mbrojtjen dhe mesfushën”.

Më pas, pohoi atë që e quajti gabimin e tij personal. “Për fat të keq, nuk mund ta luajmë sërish këtë ndeshje, – tha italiani, – i kërkova Roshit nëse mund ta bënte i vetëm gjithë krahun. U kuptua se pati vështirësi sepse Franca kishte dy lojtarë në ato pozicione. Roshi nuk është me tipare mbrojtëse dhe ishte faji im, dhe përgjegjësinë e marr unë, por meqë francezët ishin të shpejtë dhe teknikë, mendova për Roshin që ka shpejtësi dhe forcë fizike”.

Reja gjykon, sidoqoftë, se Shqipëria fitoi diçka nga kjo ndeshje. “Bare ishte shumë mirë, – tha ai me kënaqësi, – Luajti 90 minuta në nivel të lartë, hodhi në zonë shumë krosime. Është një lojtar me nivel edhe në aspektin teknik. Po ashtu edhe Gjasula. Shqipërisë i kanë ardhur dy lojtarë të rëndësishëm”.

Sfidanti.al