Nëse do të bëhej ndonjë studim për trajnerët e shkarkuar në futboll, sidomos për gjëndjen shpirtërore pas largimit nga stoli, trajnerët tanë mund të përkufizoheshin “më të lumturit”. Ikin me fjalë të bukura, madje aq të ëmbëla për presidentët, sa lind një pyetje tinzare: janë më të lumtur kur emërohen, apo kur shkarkohen? Dikush largohet me lot dhe me mall, si Tramezani kur na la për Luganon, dikush tjetër,mos mendoni vetëm për Bellain, që edhe pse ia vodhën ekipin kur ishte në gjumë gjatë natës, sapo u çua në mëngjes, ka “rebeluar” me këto fjalë: “ Nuk e kisha pronë private, as me tapi s’e kisha marrë”. Ka dhe ikje pa moralin tradicional, pa lot, pa mall për shefat e përjetshëm , por me një zemërim që nuk ishte më parë në menynë e shkarkimeve.
Fjala është për ish-trajnerin e Shpresës, Redi Jupi, i cili nëpërmjet një interviste ka prishur letargjinë e trajnerëve të “lumtur” kur ia ka plasur pa teklif: “ Mungon projekti në ekipet Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo akuzë duket si një vetëtimë në qiell të pastër, sidomos kur mendon se fjalët artikulohen nga ish-drejtori i talenteve pranë ekipit Kombëtar. Dikush mund të habitet me kurajën e Jupit, trajneri që midis viktimave të stolit pati privilegjin që ta largonin jo në avion, as mu në mes të sezonit, por kur ekipi Shpresa përfundoi “pa lavdi” një sezon përshtypjelënës. Një sezon siç e quan Jupi me ironi “Dimri i vetmisë së madhe”, ngaqë ekipit zyrtar i punonte zemra vetëm për Kombëtaren e madhe, ndërsa kur merreshin me të voglën..më shumë prishnin punë.
Fjalët e Jupit janë inçizuar nga përgjuesit e FSHF-së, ata që monitorojnë me fanatizëm zërat kundër, krejt ndryshe nga të tjerët,aq sa flitet se mund t’i bashkohen dosjes së zezë. Çfarë përmban kjo dosje? Aty janë “bukëshkalët” , ata që siç thuhet në versionin zyrtar “ hëngrën bukën dhe përmbysën kupën”. Edhe pse Redi Jupi kishte treguar mungësë besnikërie edhe në seancat televizive tek “Procesi”, madje kishte raste që “dehej” me lirinë e vet, duke shigjetuar edhe shefat e tij, ata që ishin mësuar të merrnin nga ekrani vetëm mjaltin dhe jo..helmin. Të thuash sot se mungon projekti i madh për futbollin,atij futbolli, që vetëm disa muaj më parë preku qiellin e shtatë në Francë, pale kur akuza vjen nga një personazh i adhuruar profesionalisht, kjo mund të quhet veçse tradhëti..burra. Një tradhëti që meriton të futet në muzeun e FSHF-së, me një shpjegim disi befasues, se më në fund u largua një trajner nga ekipet Kombëtare.. pa qënë i lumtur. Madje që bën akuza.
Gëzim Sinemati