Të gjitha “sakrilegjet” bëhen në emër të disipilinës ! Dhe kjo që përjetojmë me Kombëtaren kuqezi është si një finte që na vuri në gjumë dje, na gënjen sot, por ..bëhu gati dhe për nesër. Me gjuhën e futbollit, mund te krahasohet me një driblim turperues ku topi kalon mes këmbëve! Pyetja e momentit, në prag të ndeshjes me Turqinë, ishte akute : Shqipëria do të bëj dot më të mirën e vetes apo do të shfaqet anemike, panuçiane, siç ka ndodhur rëndom. Por, sipas zakonit të hershëm kuqezi, gjëndet një “bombë” për t’u plasur, dhe pyetja ndryshon thelbin:
E humbi avionin Strakosha apo trajneri dhe kujdestarët e tij do vazhdojnë “revolucionin” me disiplinën dhe..portën? Në Turqi japin pesë aryse përse do të fitojnë me Shqipërinë, kurse në anët tona nuk ka nevojë për shpjegime të thella, premtohet sipas stilit atipik kuqezi, aq sa fusin duart në zjarr për fitore, se me këmbët nuk dihet se çfarë do të ndodhë në fushë…
Të fitojmë me Turqinë dhe të kualifikohemi ! Kjo është britma e modës që na çon edhe në vitet kaluara, por na gënjen me sukses edhe sot. Vjen nga lart, e amplifikon trajneri Panuçi pa u skuqur fare, e pasojnë me zell të verbër edhe më besnikët e intervistave “klasike”, Hysaj me shokë. Dhe në këtë ritual, duket qartë se Hysaj është zgjedhur si me porosi, për të shfrytëzuar emrin e tij që përrallat të asimilohen si të vërteta. Kur luan me Napolin, Hysaj përballet me një realitet tjetër, ku askush nuk bën dot fushatë para ndeshjes, madje halli më i madh i tij është nëse do të luaj apo jo në formacion! Në Itali, ku ekipi i tij ka vetëm Juventusin sipër kokës, është e ndaluar të premtosh, kurse në Shqipëri edhe pse ka gjithë botën sipër kokës, lejohet pa limit edhe t’i bësh gola kundërshtarëve pa filluar ndeshja, punë e madhe se çfarë dreqin ndodh në fushë..
Sfidanti.al