Pse Shqipëria na turpëron, dhe Kosova na nderon në Botërorin e koshit!

Ishin paraeleminatoret, niveli më i fundit profesional, por tronditja nuk ishte vetëm që u mundëm. Kombëtarja shqiptare e basketbollit të meshkujve, krejt ndryshe nga paraqitja e kuqezinjve të  volejbollit, dështoi me turpin më të madh në Botëror. Pas humbjeve të rënda, por me të cilat sikur jemi mësuar, erdhi katastrofa ndaj Holandës, brenda në fushën tonë.

Në Sallën Sportive “Feti Borova”, që nuk meriton ende të quhet e rikonstruktuar dhe të mbajë këtë emër të madh, tifozët ishin fare të paktë për shkak të mungesës së shpresës dhe të ajrit të kondicionuar. Një dhuratë që bëhet edhe më e gënjeshtërt në vapën e gushtit.

Holandezët triumfuan me shifrat me të vërtetë të jashtëzakonshme, 113-37, një nivel që basketbolli shqiptar e ka pasur ndoshta vetëm në vitet 40-të të shekullit të kaluar. Të harrojmë epokat e Agim Fagut apo Gazmend Çaçit, nuk po i afrohemi dot nivelit të 6 viteve më parë, kur në fushë ishte Ermal Kuqo dhe në stol Fatmir Cuka.

Shima, Mozer e Bushati u përpoqën të dalloheshin nga të tjerët, por as ata nuk arritën dot maksimumin e tyre, dhe kombëtarja rezistoi vetëm në periudhën e parë, që e fitoi 16-14. Humbja dërrmuese, e katërta në katër ndeshje, solli edhe largimin e trajnerit Andonis Kostandinidhis. Qiprioti, në të vërtetë një trajner mjaft i mirë, nuk duroi dot më shumë se kaq, dhe e quajti paraqitjen të turpshme.

Gjithsesi, shqiptarët mund të kenë një krenari, Kosovën. Përfaqësuesja më e re e kontinentit, kaloi në eleminatore pas suksesit 75-69 ndaj Estonisë në Prishtinë. Dardan Berisha udhëhoqi skuadrn debutuese duke shënuar 28 pikë, ndërsa Salla në kryeqytet ishte një festë e vërtetë e tifozëve. Berisha kapi edhe 4 topa në tabela, shërbeu 6 asistë dhe i vodhi 3 topa kundërshtarëve.

Kastrati shtoi 13 pikë, ndërsa nga 10 realizuan Shoshi dhe amerikani i natyralizuar, Bamforth. Kosova zuri vendin e dytë në grup pas Estonisë, duke u kualifikuar që të dyja, dhe duke eleminuar Maqedoninë. Në fund, kremtime të mëdha dhe të merituar për një vend që banohet në shumicë dërrmuese nga shqiptarë, ku basketbolli ka traditë, por mbi të gjitha, respekton sportin dhe rregullat e tij.

Sfidanti.al