Presidentët kanë mësuar një fjalë të huaj, “produkti ynë”!

Një fjalë e re ka hyrë në fjalorin e presidentëve të futbollit, fjala “produkt”. Është një fjalë e huaj, e thithur nga gjuha shqipe dhe e përshtatur me fjalën tjetër “prodhim”, ndërsa në rastin e bosëve tanë ka kuptimin e futbollit që japin skuadrat shqiptare për sytë e publikut që ndjek këtë sport.

Kur flitet për krijimin e ligës profesioniste (të katandisur si pëlhura e Penelopës) thuhet se “duhet ta bëjmë për të mbrojtur produktin tonë”. Kur flitet për akuzat ndaj arbitrave dhe ndaj njëri-tjetrit, presidentët që vazhdimisht fitojnë kanë në majë të gjuhës fjalët “të mos sillemi kështu se dëmtojmë produktin tonë (në sytë e publikut)”.

Vërtet këto akuza po e dëmtojnë prodhimin që jep “kooperativa” me emrin Superliga shqiptare? Edhe tifozët më naivë e dinë mirë se nuk është kështu. Nëse stadiumet janë të zbrazëta, dhe nëse ndeshjet e Kategorisë Superiore i shohin gjithnjë e më pak njerëz, kjo ndodh jo nga grindjet si “shemra” të presidentëve”, por sepse produkti i ofruar është i formulës “sapuni për djathë”, edhe më skarco sesa malli më skarco kinez që mund të ketë hyrë në këtë vend.

Nëse fati i një ndeshjeje vendoset në një tavolinë kafeneje apo zyre, përcaktohet nga një telefonatë nga lart për një arbitër, atëherë kjo duket në mënyrën sesi luhet, sesi shkon rezultati dhe sesi dalin parashikimet e “gojëve të liga”. Shumica dërrmuese e tifozëve shqiptare nuk kanë ndërmend të kalojnë ndonjëherë në “supermarketin” ku shitet “produkti” i presidentëve tanë të futbollit.

Sfidanti.al