Prapaskenë e  kristaltë  me sulmuesin  Abazaj, as i Panuçit, as i Bushit !

Nuk është hera e parë e as e fundit kur dy trajnerë të ekipeve Kombëtare, Panuçi dhe Bushi i ekipit Shpresa”, kombinojnë me listat e lojtarëve, edhe më mirë se futbollistët e tyre me topin në fushë.  Dhe nuk kanë kombinuar me top si dikur, ku arti i tyre i lojës ka qënë më i besueshëm se i sotmi, por me emrin dhe me  talentin e sulmuesit Krtistal  Abazaj. E thirri Panuçi si me porosi , duke e futur në listën e tij, ndërsa trajneri Bushi i “Shpresave”  në rrëfimin me gazetarët, aty ku përralla merr emrin zyrtar, konferencë për shtyp, ka spërkatur me një aromë habie të pranishmit se Abazajn ia rrëmbyen në minutat e fundit…! Çfarë tersi kuqezi, qofshin të mallkuara këto minutat e fundit, në ato djall minutash  ndodh rituali i pësimit të golave zakonisht. Në këto minuta u bëkan edhe “vjedhjet” e listave…

Po të lexoje fytyrën e sulmuesit Abazaj, sidomos kur ka parë se eksperimenti i Panuçit i kapërcente kufinjtë e laboratorit kuqezi kur në mesfushë katapultuan Ramadani dhe Qaka, më pas edhe Bare e Lika,  nuk ishte e vështirë të kuptoje se zhgënjimi kishte kapluar çdo qelizë të tij.  Disa mund të thonë se do të ishte më mirë të luante me Shpresën, edhe pse”shqiponjat” e vogla u dorëzuan keq , kur për pak ditë mblodhën 7 gola nga Sllovakia.  Dhe më e bukura ishte kambana mashtruese që vinte nga ekrani se kjo ndeshje me Norvegjinë, ishte “përmbytur” Kombetarja,  ngaqë 5 lojtarë te “Shpresës”  krijonin një rekord bamirësie!

Një rekord alibie dhe dyshimesh, që kulmonin me pyetjen panuçiane “  Me Ramadanin dhe me Qakën në mesfushë, shto dhe gafat e spikatura  të  liderëve të mbrotjejes, donim ta fitonim apo ta humbisnim këtë ndeshje? Abazaj që shfaqet në fushë penetrues dhe me vision për lojën  sulmuese në ndeshjet e kampionatit, kur doli në ekran.. as nuk arriti të thoshte ato për të cilat i  vlonte shpirti.  Kjo është tipike kuqezi, ndikim i shiringës  të mbushur me frikë. Efekti i saj është tjetersues:  edhe kur je i tradhëtuar, bëj sikur je i lumtur meqë bën pjesë në listën e ..”kombëtares që ka flamurin më të  bukur në botë”.

Sfidanti.al