Barça, “Dream Team” në hendboll, dështon tek femrat në futboll!

Barcelona nuk ka pasur dhe një “Skuaër Ëndrrash” vetëm në futboll, në kohën e Johan Krujfit dhe të Pep Guardiolës. “Dream Team” i vërtetë i klubit katalanas është formacioni i meshkujve në hendboll, një sport që po e dominon në Spanjë. Suksesi i arritur mbrëmë në fushën e Liberbank Siudad Enkantadës (30-27) bëri që Barça të shpallej kampione 6 javë para përfundimit të kampionatit.

Ky ishte titulli i 8-të radhazi (!!!) për “azulgranët” që nuk po lejojnë askënd t’u prekë hegjemoninë. Barcelona ka fituar gjithsej 25 tituj, duke qenë ekipi rekordmen në Spanjë, dhe me diferencë të madhe me ndjekësit BM Granojers (edhe ky ekip katalanas) që ka 13 tituj, dhe nga Atletiko e Madridit me 11.

Barça është rekordmene edhe në fitoret e Championsit (9), të Kupës së Kupave të Europës (5) dhe të Superkupës Europiane (5), pa harruar Kupën e Mbretit (21).

Gjithsesi, klubi “blaugrana” provoi edhe një dështim mbrëmjen e djeshme, pasi skuadra e futbollit të femrave u eleminua nga Championsi. Barça femërore u mposht 0-1 në fushën e vet nga Olimpiku i Lionit, në çerekfinalen e kthimit, pasi edhe ndeshjen e parë e kishte humbur 1-2.

Sfidanti.al