Dikur, vdekja e një mbreti, hani apo sulltani mbahej e fshehtë derisa të mblidheshin komandantët, apo të zgjidhej pasardhësi. Ndodhte që kjo të vononte javë e muaj. Në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë menduar se mund ta bëjnë një gjë të tillë në shekullin e 21-të, të vonojnë lajmërimin e “vdekjes së licencuar” të klubeve deri pas përfundimit të garës, pra deri sot në orën 12:00, kur është planifikuar një konferencë për shtyp.
Në Shqipëri, mbajtja e sekretit është sikur t’i thuash tjetrit të mos lexojë në një libër të hapur, apo është si skeçi i humorit të Estradës së Fierit, “Kontroll i befasishëm”, ndaj të zotët e punës e marrin vesh të parët atë që FSHF mendon t’ua fshehë.
Një argument për fshehjen e informacionit është se nuk duhet të prishet gara. Siç shkruajtëm më sipër, klubet e dinë se cili është përfundimi, madje e kanë ditur përpara sesa të merrej vendimi nga komisioni përkatës në Federatë, pasi ata vetë e dinë si e kanë gjendjen financiare dhe të infrastrukturës. i vetmi rezultat i fshehjes së lajmit deri pas përfundimit të sezonit, është kaosi, thashethemet dhe teoritë konspirative, që sjellin dëm shumë më të madh, dhe më afatgjatë sesa thënia e të vërtetës për publikun.
Sfidanti.al