Partizani përdhoset nga arbitrat, presidenti Duka “zbulon” virusin!

Shfaqja e fundit e presidentit, në një nga studiot ku pyetjet ishin  sheqerosur  më shumë edhe se karamelet, e vërtetoi edhe një herë se kur flet i madhi..të vegjëlit e futbollit, do  të bënin mirë, të vendosin maskën mbrojtëse! “Loja e fundit” në ekran,  mund të quhet edhe e tillë, ngaqë shefi i FSHF-së vuan nga sindromi i protagonizmit, kishte një ndryshim skeme në krahasim me daljen e parafundit. Nuk e mbani mend, ngaqë na shfaqet shpesh? Atë ditë, kur u hodh shorti i Ligës së Kombeve, presidenti Duka, tamam sikur të ishte trajneri i vërtetë i Kombëtares, u fut me “kokë” tek vazo e grupit tonë, duke e qarë rolin e Edi Rejës, që mungonte me arsye virale në short.  Kjo është më e pakta që mund të bëjë për të ndihmuar Edin e Kombëtares, sepse kur kujton “mrekullinë historike” që ndodhi në kohën e De Biazit,  nga Reja kërkohet vetëm pak durim dhe përulje , për të shijuar  magjinë që ndodh mes nesh.

Sa herë që presidenti shfaqet në ekran, tamam siç ndodh  me  një ndeshje të stisur, nga ato që ai bën gjasme sikur  i lufton nga zyrat e UEFA-s më shumë sesa nga zyrat e FSHF-së,  duhet të presësh me durim momentin  kur do të sajohet fraza, e cila  vlen si goli në minutën e fundit. Dhe duket si një alibi perfekte,  si një lojë e kurdisur me marifet , kur tamam në ditën që arbitrat  pa pikë turpi poshtërojnë Partizanin në Shkodër, zoti i madh i arbitrave,  nuk humbet rastin, madje trukohet si doktor  për të diagnostifikuar  deputetin Braçe si “ tifoz të  sëmurë”.   Imagjinoni, sikur në ato momente, dikush në studio të dilte nga skenari dhe nga fiqiri, dhe ta pyeste lumëmadhin e topit: “ Zoti president, koronavirusi ka boshatisur stadiumet e botës, po si quhet virusi që ka kohë që ka boshatisur stadiumet tona”?

G.Sinemati

Botuar ne Panorama Sport