Përpara ose pas çdo krize lufte apo humanitare në botë, një zë ngrihet dhe i bën moral njerëzimit. Ky është zëri i Papës së Romës, i cili prej kohësh nuk ka rol në politikën botërore, nuk është palë, ndaj edhe moralizimi i tij pranohet nga të gjithë.
Një rol të tillë e mori dje edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, kur u pyet në Shkodër për sulmin që presidenti i Laçit, Laska, i bëri presidentit të Tiranës, Halili (që vijoi, mesa dimë, me sulmin e njerëzve të Halilit ndaj Laskës).
“Futbolli është garë me emocione dhe gjithsecili duhet të frenojë veten, – tha presidenti, – është fundi i kampionatit dhe secili kërkon të marrë maksimumin, por harrojnë që maksimumi merret në fushën e lojës”.
Duka harron se institucioni që ai drejton mban përgjegjësi për veprimet e anëtarëve të tij, dhe kjo nuk vlen vetëm për atë që ndodh brenda fushës apo brenda stadiumit. Në fund të fundit, një dënim për Kastriotin u mor sepse lojtarët e Skënderbeut u kërcënuan jashtë stadiumit të Fushë Krujës. Ndaj, edhe presidentit nuk i shkon roli i Papës së Romës.
Shëmtia e asaj që ndodhi mes dy presidentëve ishte kaq e madhe, saqë është e pamundur të imagjinohet sesi mund të ketë normalitet në Superligë, në Federatë dhe në Ligën e ardhshme të futbollit. Kur numrat 1 të klubeve sillen kështu, çfarë mund të pritet nga tifozët që quhen ultras.
Sfidanti.al