Nuk u nxitua për t’u kthyer me vrap në Gjermani. Ajntrahti i Frankfurti e kaloi natën deri të premten në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, në pritje të udhëtimit të mesditës pas humbjes ndaj Benfikës në çerekfinalen e parë të Ligës së Europës. Gjithsesi, jetës asnjëherë nuk i dihet, apo siç thonë në Shkodër “rruga, vade s’ka”. Skuadra gjermane shkoi e përpiktë në aeroportin e Lisbonës për t’u nisur me avionin e prenotuar (çarter) në orën 11:55, pra në mesditë. Në të vërtetë, avioni e la pistën vetëm në 14:05.
Çfarë ndodhi? Një e papritur e pakëndshme, pasi një aeroplani përpara tij iu ça goma përpara fluturimit, ndaj pista u mbyll për rreth 1 orë. Pasi u bënë hulumtimet e rastit, u rregullua dëmtimi dhe u pastrua pista, punonjësit u morën me nisjet e avionëve që ishin vonuar dhe kjo shtyu edhe fluturimin e Ajntrahtit. Futbollistët pritën në zonën e nisjes, pranë aeroplanit të tyre, madje e kaluan kohën duke bërë ushtrime nxemjeve (streçing). Klubi anuloi konferencën e orës 17:00 të planifikuar përpara ndeshjes së të dielës në Bundesligë ndaj Augsburgut.
Sfidanti.al