Panuçi paska vjedhur “magjinë” e De Biazit,  përsëri avullon  Bekim Balaj

Kur shikon çudirat në listën e Kombëtares, duket sikur akoma nuk ka ikur De Biazi, ose sikur midis dy italianëve ka një pakt sekret që mbahet në këmbë. Edhe Panuçi nuk po tregon çiltersi për të bërë zgjedhje kristiane kur vjen puna për listën e Kombëtares, qofshin ndeshje zyrtare apo miqësore. Në prag të ndeshjes me Turqinë,  italiani duket se ka bërë një “rofeshatë” sapo  ka zgjedhur emrat e futbollistëve. Nuk do të jetë mesfushori Ergys Kaçe,  pikërisht mesfushori i vetem vizionar, të cilin  Panuçi e zbuloi me bujë para ndeshjes me Spanjën, kurse në listë do të mbijetojë Basha, edhe pse vetëm me një këmbë, pasi është i dëmtuar. Më e bukura është se në Itali, tek Bari, ku luan Migjeni, e dërguan në tribunë si “pacient” në ndeshjen e fundit, ndërsa në Shqipëri nuk vendosin mjekët, por është trajneri që të shëron dhe të ..dëmton sipas oreksit të tij.

Në listë mungon edhe një emër që provokon shumë kujtime italiane, sulmuesi Bekim Balaj.  Edhe në kohën e De Biazit  janë bërë marifete në kurriz të tij, sidomos pas golit muzeal  në Portugali, ku pasi e shpallëm hero, e larguan pa histori nga formacioni. Këtë herë është krejt ndryshe, ngaqë Bekimi, por edhe të tjerët, kishin besuar se Panuçi edhe pse pa përvojën e italianit tjetër, do t’i kishte sytë në ballë kur të shkruante emrat e futbollistëve. Pale kur na u betuan se me trajnerin e ri nuk do të fuste hundën askush në listën e Kombëtares sepse është më mirë kur gabon vetë i zoti i punës, pa ndimhën e shqiptarëve që vdesin për të bërë qoka…

Sfidanti.al