Panuçi dhe “refreni” i Vitit të Ri: Nuk iu interesojnë lojtarët

Nuk mungoi shumë pas hedhjes së shortit të Europianit, kur trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, bëri deklaratën që e lëshon në çdo konferencë shtypi. Një pyetjeje të thjeshtë se “sa shanse kemi për kualifikim”, ai iu përgjigj me një kundërsulm “të furishëm”: “Duhet të rikuperoj lojtarët, pasi vë re se nuk iu intereson shumë gjendja e lojtarëve, por vetëm rezultati”.

Ky është “refreni” i italianit, edhe kur ishin festat e tjera, edhe tani kur afron Viti i Ri. Me shumë gjasë, e kupton se Duka po e mban, në një farë mënyre, prej hallit, dhe me siguri që i vjen “plasja”, por ai “i bie derës, që të dëgjojë penxherja”.

Është një refren edhe që e përdor si mburojë, ndërsa një vit pas ardhjes në detyrë, kombëtarja duhet të mbështetet sërish tek Mavraj, Basha, Memushaj apo ndonjë veteran tjetër. Gjithsesi, do të ishim të padrejtë ndaj Panuçit, nëse do t’ia hidhnim fajin atij që ka kaq pak lojtarë të gatshëm për kombëtaren.

Sistemin e futbollit në Shqipëri nuk e ndërton Panuçi, akademitë i kanë në dorë presidentët tanë “që kanë shpëtuar futbollin”, ndërsa përzgjedhjet për ekipet kombëtare të moshave i ka në dorë FSHF-ja, që bën punën e “qarkullimit të kuadrit” me trajnerët.

Sfidanti.al