O Kukës, o Safet ! Kur gafën e bën arbitri, pse shpullën e marrin futbollistët?

Kush më mirë se Shpëtim Duro e di se çfarë gjëme të bëjnë arbitrat kur “djalli” i ka fryrë në vesh.Kur ishte në Vlorë,  predikonte  se brenda skemës për lojën, përgatiste edhe një skemë të fshehtë   për arbitrat që , si për ters , i zinte deti në Vlorë. Tani në Kukës, sidomos kur udhëton për në Laç,  njeriu i stolit te Kukësit, zbulon se nuk ka skemë që t’i bëjë derman arbitrit, sepse ata e kanë golin në kokë.

“ Pyetini futbollistët,  çfarë  ju kam thënë para ndeshjes?” – thotë Shpëtimi që nuk ka shpëtim nga përndjekja e njeriut me të zeza, –E  parandjeja se do të linin gjurmët e mëkatit  në ndeshje”.  Por, zëri i tij nuk dëgjohet , ndaj  sytë dhe veshët shkojnë tek presidenti Gjici. Një “lojtar pozicional” në vitet e kaluara, që e dinte fare mirë marifetin me arbitrat, kur gabonin  për meritë të tyre dhe kur gabonin për meritë të shefave. Fundja, a nuk janë vetë presidentët investitorët që shpenzuan goxha miliona , që arbitrat të gabonin si “njerëz” , pa e ditur se po hidhnin themelet e një sistemi, ku fituesi dhe viktima ndërrojnë rolet në filmin e Superligës.

Dëgjoni fjalët e Gjicit, pas humbjes flakëruese në Laç,  me një penallti ku maviola stërlodhet, zhytet në “shkencë”, për ta ligjëruar: “ Ndeshjen e vendosi arbitri, por unë nuk do t’i paguaj futbollistët nësë nuk bëjnë kthesën”.  Në fakt, për hir të së vërtetës, nëse Gjici  nuk do ta kishte tradhëtuar futbollin për hir të politikës, as s’ do të mundohej ta  formulonte këtë frazë disi kontradiktore. Nëse golin e ka bërë arbitri me penalltinë që shpiku, atëherë përse u dashka  bërë kthesa nga futbollistët dhe jo nga arbitrat?”  Kur thonë se në Laç e pësojnë sistematikisht nga “magjia  e zezë” në këto ndeshjet e fundit,  a ka  trajner apo futbollist , apo më mirë të themi një  president , më të zotin se edhe vetë Gjici, për të kuptuar pse arbitrat dhe shefat  kanë krijuar një modë tjetër gjykimi kur flitet për fushën e Laçit…

Sfidanti.al