Antetokumbo si Numri 1 i NBA-së, shkëlqen dhe fitoret vijnë radhë për Miluokin

Pas pjesës së parë ishte tepër i zemëruar. Janis Antetokumbo është lojtari më i mirë i sezonit të kaluar në NBA dhe nuk mund të pranonte një tjetër humbje, ndaj edhe dha një provë të madhe. Në fushën e Oklahomës, që nuk ka më as Rasëll Uesbrukun, Miluoki po humbiste në pushim të ndeshjes, por lideri i ekipit reagoi në momentin e duhur.

Antetokumbo shënoi 35 pikë gjithsej duke siguruar vetëm në fund një fitore tepër të vështirë, arritur me shifrat 121-119. Përveç pikëve, basketbollisti afrikan me pasaportë greke kapi edhe 16 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi 1 top dhe bllokoi një gjuajtje. Ai u tregua i saktë në gjuajtjet për tri pikë dhe në gjuajtjet e lira.

Kuptohet Miluoki nuk ishte vetëm Antetokmbo, pasi shumë mirë luajtën edhe Bledsou me 25 pikë, Lopez me 15, Braun me 12 dhe Midëllton me 10 pikë. Me këtë sukses, skuadra verilindore amerikane  u ngjit në vendin e tretë në Konferencën Lindore me 7 fitore e 3 humbje, dhe shpresa është që të bëhet më shumë sesa vitin e kaluar, kur u arrit finalja e Konferencës. Antetokumbo do të kënaqej vetëm me titullin e NBA-së.

Sfidanti.al