Zgjimi i vështirë ditën pas disfatës së hidhur me Italinë ku pika na iku për një “fije floku”, mendoi presidenti i FSHF-së që si gjithmonë të na dërgonte një mesazh ngushëllimi edhe pse “zija” nuk ka rënë vetëm te ne por është e të gjithëve, edhe e tij. Duka si përherë nuk u kursye në fjalitë e kujdesura, të krehura me kujdes si look-u i futbollistëve dhe me shprehjen shabllon për ta përqëndruar fokusin te ndeshjet e radhës, na i hoqi sikletin e disfatës tronditëse me Italinë ku këtë herë nuk marrim me vete lojën dinjitoze por golin më të shpejtë të historisë, një flamur që do ta tundim deri në momentin që dikush tjetër më i shpejtë të shënojë në një europian.
Ajo që bën përshtypje në në situatën post-traumatike është edhe thirrja e disa mediave për të mos e shqetësuar më Elseidin pasi e ka vuajtur aq shumë humbjen dhe sulmet e tifozëve sa ka mbyllur edhe rrjetet sociale. Një lojtar që paguhet me miliona, ushqehet në restorantet më luksoze, ka trajtim special 24 në 24, stërvitet në palestrat dhe kushtet më të mira, merr trajtimin më profesional të mundshëm kur dëmtohet, zgjedh kë të marrë me vete në stadium, e madje ka edhe një staf që mendon 24 orë për të bashkë me një komb që e mbështet edhe duke udhëtuar nga përtej oqeanit….mërzitet kur e kritikojnë e madje rrezikon edhe traumën. Siklet i madh…
Nga Pirro Bardhyli