Në djall statistikat! Pas 40 vitesh, Luftëtari “ngriti”  flamurin në Vlorë…

Nga koha e Sefedin Brahos tek sulmuesit e sotëm të Luftëtarit, Devi Bregu dhe Kristal Abazaj. Edhe pse kampionati ynë nuk është toka ideale për t’u falur tek statistikat, humbja e Flamurtarit me Luftëtarin të kthen pas në vitin 1978-të.Në një kohë, tamam tamam, kur armata e shpejtë  Sieti, Braho e Boni kishin shijuar triumfin e fundit në Vlorë.  40 vite pritje dhe mundim për të ngritur flamurin e fitores  në një qytet, ku besimtarët e thekur e dinin se mund të ndodhte gjithçka në këtë kampionat, po kurrë s’mendonin se do të binin në këmbët e gjirokastritëve. Pale kur kujton emrin e “keqbërësit’, autorit të golit, atij që ndryshoi historinë që bashkoi 4 dekada. Nuk është Bregu, as Abazaj, por  Vasil Shkurtaj, gjesti i të cilit ka shumë arsye të fiksohet në kujtesë. Një vlonjat që godet portën dhe “tabunë”, duke dërguar në rrjetë një top, i cili nuk peshon si golat e tjerë që kanë kurdisur djemtë e Jugut. Ata djem, që kur dalin në fushë duken si 11 –të pesha të lehta, porse falë shtjellimit të  lojës, sidomos gjatë marifetit të tyre vrasës, kundërsulmit, zbulojnë se kanë lidhje gjaku me të parët e tyre..

Pas kësaj humbjeje me përmasa morale, në Vlorë ndihen te tradhetuar,  sikur brënda mureve të 90 minutave, t’i kenë futur një “Kalë Troje”.  Paska qënë një mashtrim “kaseta” e ndeshjes me Vllazninë, ku çunat e trajnerit Lika bënin garën hileqare , sidomos dyshja e vitrines, Bregu dhe Abazaj, cili të humbiste rastin më flagrant , duke bërë poza  të panjohura për cinizmin e tyre. Këtë herë, në Vlorë,  pabesia e tyre u bë më e ndjeshme edhe për meritë të Flamurtarit, që edhe pse e dinte se me këtë lloj kundërshtari nuk mund të mbyllësh sytë e të ndalësh kembet, sepse të gjithë ata që kanë guxuar,  kanë flirtuar me  humbjen në fund..

Sfidanti.al