Do të ketë shumë arsye për t’u mbajtur mend kjo ndeshja miqësore me Romën. E quajtën miqësore luksi, por në fakt, fusha tregoi se nuk ishte edhe aq luksoze sa flitej. Partizani nxorri në fushë një ekip të dominuar nga rezervat, të cilët për nga mënyra se si luanin dukeshin sikur nuk ia dinin as emrin njëri -tjetrit dhe jo më lojën. Do të kujtohet kjo ndeshje se mirë që mbajti frena Roma , ndofta me përkujdesje të Murinjos,( jam mik me kryeministrin Rama !) sepse italianët do të kishin bërë serenatë me gola. Do të kujtohet kjo ndeshje sepse trajnerit Zekiç i erdhën “mendtë “ me vonesë kur nga fundi i ndeshjes lëshoi në fushë “yjet e tij”.
E paharruar do të mbetet ndeshja edhe për një gjest “humanitar” të Murinjos që largoi nga fusha një futbollist të Romës, që dy ekipet të luanin me nga 10 lojtarë meqë Partizani kishte mbetur inferior edhe në numër. Duket sikur pamë një Murinjo tjetër, sepse ai që kemi njohur me Interin dhe me Realin nuk bënte rolin e “nënë Terezës” me kundërshtarin. Më e bukura ishte batuta kur Murinjo largoi futbollistin: “ O Murinjo, mos hiq vetëm një lojtar por largo nja 2 apo tre futbollistë se jemi në hall sonte…”
Sfidanti.al